1
-Ku je nisur për të vatë,
shelege, bejk’ e çobanit?
Ku le jot’ ëm’ e tyt atë
dhe gjithë shoqet e stanit?
thëllëza gurë mbi gurë,
trimat rënkojnë për tynë,
Nga foleja mos dil kurrë,
se të kanë vënë synë…
-Dëgjoni, shoqet e mia,
diç t’ju them e diç t’ju qahem:
do të ndahem nga shtëpia,
nga njerëzit e mi do të ndahem!
O baba, ç’është kjo punë?
Mos nënë, për ku më nise?
Pse s’më martoni këtunë?
C’më vjen keq për këto vise!
-Ikë zogë, se pret zogu,
që këndon pranë folesë,
mbi një degë borziloku
dhe shikon udhën me shpresë.
Ikë, bëfsh udhen e mbarë,
të pret miku të martohi;
të dy bashkë, të pandarë,
përjetëtë trashëgohi.
2
As këndoni të këndojmë,
ju e dini kë martojmë!…
Dhëndër, o lule limon,
hip e ri në këtë fron,
të të laj, të të ndërroj,
te nusja të të dërgoj.
A të pëlqen nusia,
more djal’ o lulia?
-Ësht’ e mirë, shoqe s’ka,
m’e mirë nga gjithë na…
Të lëvdojnë bot’ e tërë,
lum mëma që të ka bërë!
Thëllëza gurë mbi gurë,
me gojë s’më fole kurrë,
më do a s’më do për burrë?
Moj lulia vergje-vergje,
të fola, pse s’mu përgjegje?
Moj, mos je sëmurë e dergje?
-As sëmurë s’jam, as dergjem,
po s’dua të përgjegjem,
se kam frikë nga im atë,
që përgjon natë për natë,
-Borziloku fletëgjerë,
çuditem se kur u rrite!…
Shum’ e bukur je moj vashë,
u çudita kur të pashë.
Cullufetë fije-fije,
besa, sa të kanë hije!
Faqetë si moll’ e kuqe,
goja jote si burbuqe,
mesi yt si unazë dore,
sa mend që kisha m’i more.
Me dy sy të zez në ballë,
si dielli më të dalë.
Vetullatë pse t’u nxinë?
Mos u ke vënë mazinë?…
Moj nuse, ç’është kjo punë?
Që ditën që ke këtunë,
pse na rri duke menduar?
Vallë kush të ka qërtuar?
Turp të vjen a frikë ke?
Mos u mendo, paç uratë,
harro jot ëm’ e yt atë;
këtu rrotullë sa jemi,
gjithë farefis të kemi
dhe burri që more vetë,
Nukë ka shokë në jetë.