Masat kufizuese COVID-19 shtyhen PA AFAT përtej 3 prillit, nga shkolla, lokalet, tubimet, operacionet në spitalet publike e private

Masat kufizuese të ndërmarra nga ministria e Shëndetësisë dhe nga qeveria në kuadër të frenimit të përhapjes së CoVid-19 janë shtyrë pa afat deri në përfundimin e pandemisë që po rrezikon vendin tonë dhe të gjithë botën.

Urdhri është firmosur sot nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ku shpjegohet se të gjitha masat kufizuese tashmë do të shtyhen përtej 3 prillit që ishte afati i përfundimit të urdhrave të mëparshëm.

Sipas urdhrave të firmosura sot nga ministrja Manastirliu asnjë aktivitet publik dhe jopublik, në ambiente të hapura apo të mbyllura nuk do të lejohet. Këtu përfshihen të gjitha ato subjekte dhe kategori që u prekën nga urdhri i 8 marsit të muajit të kaluar si bizneset e vogla dhe të mëdha me disa përjashtime, lokalet, restorantet etj.

Shkollat dhe institucionet arsimore do të vijojnë mësimin online pasi nuk do të jetë 3 prilli data e fillimit të shkollës. Po ashtu edhe klinikat dentare do të jenë të mbyllura pas 3 prillit kurse spitalet publike dhe jopublike nuk do lejojnë të kryejnë operacione kirurgjikale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur që të shtyjë pa afat deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendimin për të ndërprerë të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara në QSUT, spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ por edhe në spitalet private operacionet.

Nuk do të lejohen grumbullimet masive në ambientet të hapura dhe të mbyllura kurse siç e paralajmëroi edhe Rama Komisionet e vlerësimit të KEMP-it nuk funksionojnë por qytetarët që nuk kanë mundësi të paraqiten do të vijojnë të marrin pagën e paaftësisë për punë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.